Euronews: Vizat, shpallja non-grata e Kurtit dhe Sveçlës – sanksionet që po përgatisin SHBA-të nëse nuk dëgjohen

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke shqyrtuar dy faza të masave kundër Kosovës nëse ajo nuk përmbush detyrimet e saj dhe nuk de-përshkallëzon situatën në veri. Sanksionet do të zgjerohen kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.

Kështu po raporton Euronews, të cilët thonë se kanë siguruar një komunikim të brendshëm të qeverisë amerikane, përcjell Gazeta Insajderi.

Sipas raportimit, faza e parë e sanksioneve do të parashikonte ngrirjen e fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit për Këshillin e Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të financuara nga perëndimi.

“Faza e dytë parasheh që aleatët e Kosovës që të merrnin një qëndrim pasiv ndaj fushatës së çnjohjes së Serbisë kundër Kosovës, riorganizimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe reduktimit serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtimit të Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare”.

Siç vijon raportimi, parashihen edhe sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Sveçla, nëse situata në terren përkeqësohet më tej. Kjo mund të përfshijë shpalljen e të dyjave “non grata me justifikimin se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një qendër krize prapa linjave të kontaktit me Rusinë… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe”.

Dokumenti vazhdon, “askush nuk e priste që do të ishte Qeveria e Kosovës ajo që me veprimet e veta do të nxiste pasiguri dhe do të nxiste krizat dhe konfliktet”.

Krahas kritikave ndaj qeverisë aktuale, dokumenti kritikon opozitën në Kosovë dhe i akuzon ata se “nuk e kuptojnë thellësinë e seriozitetit të situatës dhe rrezikun real për Kosovën”.

Aty shtohet se opozita duhet të dalë dhe të deklarojë qartë nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog.

“Fakti që opozita nuk e bën këtë gjeneron mosbesim dhe projekton oportunizëm,” shton ai.