Sunny Hill Festival

Festivalet e ushqimit një mundësi e mirë për argëtim gjatë verës

Ditët e gjata, me diell dhe mot të ngrohtë, e bëjnë verën stinën e duhur për organizimin e festivaleve të ushqimit. Këto festivale janë mundësi shumë e mirë për të provuar ushqime dhe pije të llojllojshme nën tingujt e muzikës live.

Përveç kësaj, ju mund të mësoni për përgatitjen e atyre ushqimeve, kulturat dhe traditat e vendeve të shumta. Gjithashtu, përmes festivaleve të ushqimit mund të përmirësoni aftësitë tuaja të gatimit.

Në botë gjatë verës mbahen festivale të shumta të ushqimit, ku me disa prej tyre do të njihemi tani.

“Copenhagen Cooking Festival” në Danimarkë

Kopenhaga është padyshim një qytet i njohur për ushqime. Për këtë arsye, mbahet festivali 10-ditor “Copenhagen Cooking Festival”, ku mbi 80,000 vizitorë marrin pjesë për të shijuar kënaqësitë e kuzhinës nordike. Në këtë festival mund të provoni më të mirat e gastronomisë së kryeqytetit danez, ku pjata që duhet gjithsesi ta provoni është Smorrebrod, një sandviç i hapur tradicional. Këtë vit festivali do të mbahet në datat 19 deri 28 gusht dhe tema e tij për këtë vit është “Breaking with New”, e cila lidhet mirë me reputacionin e qytetit si pionier në ushqim dhe të menduarit inovativ.

“Napoli Pizza Village Festival” në Itali

Një festival picash në vendlindjen e picës. Kjo po tregon mjaft shumë për këtë festival, në të cilin gjatë nëntë ditëve mund të provoni pica nga shumë piceri të famshme lokale dhe nga qindra kuzhinierë të specializuar në gatimin e picave. Megjithatë, ky festival nuk ka të bëjë vetëm me ngrënien e picës. Festivali i bën homazh historisë së këtij ushqimi të këndshëm me seminare dhe ekspozita. Madje mund të merrni pjesë në seminare dhe demonstrime interaktive. Pika kryesore është Kampionati Botëror i Pizza Maker, ku njerëzit udhëtojnë nga e gjithë bota për të marrë pjesë. Këtë vit është mbajtur nga 17 deri 26 qershori dhe padyshim pica që duhet ta provoni është margarita.

“Vijazz Festival” në Spanjë

Prej shumë kohësh, besohet se muzika xhaz dhe vera shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën. “Vijazz Festival” mbahet në Spanjë dhe ka një koncept të thjeshtë; shijimin e verës nën tingujt e qetë të xhazit. I sjellë me shumë elegancë, ky festival ofron verë nga 40 prodhues të rajonit. Përveç shijimit të saj, vizitorët mund të mësojnë më shumë për verën dhe llojet e saj. Këtë vit festivali është mbajtur nga data 1 deri 3 korrik dhe vera që duhet gjithsesi ta provoni është Cava, ngase njihet si njëra prej verërave më të famshme në Spanjë.

“Seafest: The Seafood Festival” në Angli

Një festival i përkryer për adhuruesit e ushqimeve të detit. I vendosur në gadishullin e plazhit të mrekullueshëm më rërë të Weymouth, “Seafest: The Seafood Festival” në Angli, ofron ushqimet më të mira të detit në Mbretërinë e Bashkuar. Ky vend është shumë i famshëm për prodhimin e ushqimeve të detit dhe ekstravaganca që sjell festivali e shndërron atë në një festë të vërtetë. Festivali do të mbahet më 10 dhe 11 shtator të këtij viti dhe ushqimi që duhet të provoni janë guacat e detit. Përveç tjerave, në këtë festival do të shijoni shumë bisedat, muzikën live, demonstrimet dhe seminaret e gatimit për fëmijë.

“Maschsee Lake Festival” në Gjermani

Me kuzhinë ndërkombëtare që shtrihet nga Azia në Meksikë, “Maschsee Lake Festival” në Gjermani ofron ushqime të llojllojshme. Secila anë e liqenit ku mbahet festivali përmban ushqime të ndryshme. Bregu lindor është vendi që përmban ushqime deti, kurse bregu jugor ka një aromë më mesdhetare. Festivali mbahet nga data 27 korrik deri 14 gusht dhe përveç ushqimeve ofron lojëra dhe aktivitete të ndryshme për fëmijë. Kurse në mbrëmje shndërrohet në një festë të vërtetë. Me mbi dy milionë vizitorë çdo vit, ky festival konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha të hapura në Gjermani. Dhe nëse shkoni mos harroni të provoni Lobscouse, pjatë norvegjeze me mish dhe patate, që është një specialitet shumë i njohur në Gjermani.

Të gjitha këto festivale janë të veçanta dhe sjellin ushqime të ndryshme. Kjo ju mundëson juve të zgjidhni të vizitoni festivalin që ofron ushqimet tuaja të preferuara.