FFK-ja ankohet në FIFA për veprimin e Serbisë në Kupën e Botës

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të premten ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin, siç e ka quajtur, agresiv të Serbisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.

Në duelin kundër Brazilit, thuhet se Serbia ka vazhduar me “retorikën shoviniste ndaj Republikës së Kosovës”.

Para duelit me Brazilin, të cilin e humbi 2:0, në zhveshtoren e Serbisë është vendosur një flamur, ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

“Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.

Sipas FFK-së, futbolli si sporti më i popullarizuar në botë, përçon vlera bashkimi dhe jo përçarjeje, ndërsa ka shtuar se akti agresiv i Serbisë nuk përkon me vlerat e tilla dhe duhet të ndëshkohet.

“Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit. Mirëpo, është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqishëm që FIFA të zbatojë në përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli”, ka shkruar FFK-ja.