Flore: Po punohet që Kosovës t`ia zgjidhim çështjen e Kartonit të Gjelbër

Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku dhe drejtoresha menaxhuese e Këshillit të Byrove nga Brukseli, Greet Flore, pas takimit kanë mbajtur konferencë për media.

Mazreku dhe Flore, kanë bërë të ditur nesër (enjte) do të jepen detaje më të reja lidhur me atë se si Kosova do të ec tutje për Kartonin e Gjelbër, raporton RTKlive.

Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku tha se në takimin me delegacionin nga Brukseli kanë diskutuar për hapat që BKS i ka marrë, për të qenë pjesë e Këshillit të Byrove, përderisa tha se nesër do mbahet konferencë me presidenten e Këshillit të Byrove ku do të jepen më shumë detaje.

Kurse Greet Flore tha se janë duke punuar për të bërë zgjidhje për Kosovën.

 “Jemi duke punuar se si do të arrijmë tek synimi përfundimtar, bashkë jemi duke bashkëpunuar për të dalë tek një zgjidhje që i hapë kufijtë për qytetarët e Kosovës”, tha ajo duke shtuar se nesër do jepen më shumë detaje se si do të ecet tutje.