Gjakovari ia zë pritën ish gruas, e fut në veturë dhe i hyn dajak

Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen. Si pasojë e konflikteve të vazhdueshme janë gratë ato që kryesisht kërkojnë ndihmën e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën “Ismail Qemali” në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish gruas me të cilën kanë bashkëjetuar për një periudhë. 

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari fillimisht ia kishte zënë pritën viktimës, e më pas e ka futur me dhunë në veturë, ku edhe e ka rrahur. 

Përballë kësaj situate, ajo tentoi të largohej, por u ballafaqua sërish me veprimet e tij agresive. 

Posa rasti u denoncua në Polici, i dyshuari është identifikuar, por akoma nuk është siguruar prezenca e tij. 

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.