Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin për shkarkim të anëtarëve të KPMSHCK-së

Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Më 30 qershor 2021, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë anëtarëve të këtij Këshilli.

Ndaj vendimit ishte ankuar Partia Demokratike e Kosovës. Tani Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se është vendosur që vendimi s’ka qenë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe për këtë ka vendosur ta shfuqizojë.

Sipas Kushtetueses, ndërprerja e mandatit të anëtarëve të Këshillit nuk mund të bëhet vetëm për shkak të “vendimmarrjes”.

Shkarkimi i anëtarëve të KPMSHCK-së pati ardhur pak ditë pasi në Komisionin për Administratë Publike qe votuar kundër miratimit të raportit vjetor të Këshillit për vitin 2020. Më 15 qershor, ky komision rekomandoi shkarkimin. E shkarkimi erdhi 15 ditë më pas me 62 vota pro, tri kundër e 11 abstenime.