Google lanson rivalin e ChatGPT-së

Google ka hapur për qasje vegëzën “Bard”, bashkëbiseduesin që shfrytëzon inteligjencën artificiale, e që është rival i drejtpërdrejtë me tashmë të famshmin ChatGPT.

Duke nisur nga e marta, përdoruesit mund të zënë vend në listën e pritjes për të pasur qasje në “Bard”, për të cilin kompania premton t’u ndihmojë përdoruesve të përpilojnë ese, të planifikojnë befasitë për miqtë apo edhe të marrin ide për shujta në bazë të asaj që kanë nëpër frigoriferë.

Një përfaqësues i kompanisë i ka thënë CNN-it se kjo do të jetë “përvojë e ndarë nga Google Searchi”, dhe përdoruesit do të mund ta përdorin “Searchin” për t’i verifikuar përgjigjet e marra. Google ka thënë në një postim në blog se planifikon të shtojë opsione të tjera për të thelluar mundësitë e kërkimit.

Kompania planifikon ta lëshojë opsionin e ri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe planifikon ta zgjerojë edhe në më shumë shtete e gjuhë në të ardhmen.

Lansimi vjen në kohën kur pos Googleit edhe Microsofti, Facebooku e gjigantë tjerë teknologjikë po garojnë për të zhvilluar vegëza të inteligjencës artificiale, pas suksesit viral të ChatGPT-së. Javën e shkuar, Google njoftoi se do ta sjellë inteligjencën artificiale për disa produkte, e ngjashëm veproi edhe Microsofti.

Google e shpalosi Bardin muajin e shkuar në një demo që më vonë u konsiderua se po jep përgjigje të gabuara. Aksionet e kompanisë amë të Googleit, Alphabet, kanë rënë 7.7 për qind atë ditë, duke hequr 100 miliardë dollarë nga vlera totale.

Sikur ChatGPT, që u lansua në nëntor nga kompania “OpenAI”, Bardi është i bazuar në modele që shfrytëzojnë sasi të mëdha të dhënash online për të gjeneruar përgjigje të duhura ndaj kërkesave të njerëzve. Vëmendja e menjëhershme që mori ChatGPT nxiti kompanitë tjera të hulumtojnë në treg.