Haradinaj: Evituam rrezikun që mund të përfundonte me viktima

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se me marrëveshjen e arritur të mërkurën për targat, është evituar rreziku për përshkallëzim të veriut.

Sfida tash, shtoi Haradinaj, është rikthimi i zyrtarëve serbë që kishin lënë punën në institucione.

“Kemi disa ditë që kemi drejtuar situatën në veri. Me marrëveshjen e djeshme e kemi evituar rrezikun e parë që mund të kishte viktima qofshin policë apo qytetarë serbë. Por dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave. Qeveria duhet të fillojë dialogun me serbët lokalë”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit.

Haradinaj ka thënë se nuk duhet eksperimentuar dhe se duhet dëgjuar ndërkombëtarët.

“Në interpelancën e ardhshme me kryeministrin do të bisedojmë për dy pika që i kemi në rezolutën tonë. E kam ditur që do të vijmë deri te kjo pikë meqë e kam lexuar Lajçakun e Escobarin kur qenë këtu se tërësia territoriale nuk është e negociueshme, sovraniteti nuk është i negociueshëm prandaj mos të eksperimentojmë”.