Hasani: Nëse Kushtetuesja e shpall jokushtetues konstituimin, mund të vihet në pikëpyetje edhe Qeveria Kurti 4

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe se një vendim i tillë nga Gjykata Kushtetuese mund të vërë në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani tha se konstituimi i Kuvendit nuk ka ndjekur procedurat e përcaktuara me Kushtetutë, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese.

Komentet e tij vijnë pasi PDK-ja ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit, i cili u shpall i konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon kësaj partie.

Hasani tha se pret që Gjykata Kushtetuese të mund të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.

Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese e shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit, kjo do të mund të prekë edhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4. Ai argumentoi se Qeveria është zgjedhur në votimin e parë dhe, në rast të një vendimi të tillë, Gjykata do të duhej të përcaktonte edhe pasojat juridike të këtij procesi.

Hasani paralajmëroi se situata mund të ndikojë edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke e cilësuar gjendjen aktuale si një ngërç të ri institucional.

Megjithatë, nëse Kuvendi dhe Qeveria do të shpallen jokushtetuese apo do të pezullohen, kjo mund të përcaktohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi për rastin konkret. Vlerësimet e Hasanit janë interpretim juridik dhe nuk përbëjnë vendim të Gjykatës. /Rel/