Kërkesa e Vetëvendosjes: Gjykata Kushtetuese punon edhe për festë, u jep afat palëve të përgjigjen deri sot në ora 12:00

Instanca më e lartë gjyqësore në vend- Gjykata Kushtetuese do të trajtojë me urgjencë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së, për kandidat për Kryeministër.

Tashmë parashtruesve të kërkesës- deputetëve u është dërguar një shkresë, të cilëve u ka kërkuar që komentet për masën e përkohshme t’i dërgojnë më së largu deri më 1 maj, në ora 12:00.

Ndërsa për meritat e kërkesës, Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat palëve deri më 8 maj, në ora 16:00.

Gjatë ditës së djeshme, menjëherë pasi presidenti Thaçi e mandatoj Avdullah Hotin për kryeministër, Vetëvendosje iu drejtua me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese.

Vetëvendosje po konsideroj se vetëm asaj i takon e drejta për formimin e Qeverisë, për faktin se ka dalë partia e parë nga zgjedhjet.

Dokumenti fillimisht u botua nga Ekonomia Sot, ku Kushtetuesja ka kërkuar komente nga deputetët.