Këshilli i Etikës ia rekomandon Rektoratit suspendimin e Xhevat Krasniqit

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka rekomanduar Rektoratit që ta suspendojë profesorin Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar për ngacmim seksual. 

Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Universitetit të Prishtinës se i kishte ngacmuar seksualisht, duke iu thënë disa prej tyre “kur dush të bëj masazh”.

Sipas një ankueseje, profesori i Fakultetit të Edukimit po jepte edhe lëndën e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, e aty thuhet se kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.

“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhet në ankesë.