Komuna e Vushtrrisë do të ofrojë shërbime edhe të shtunave vetëm për mërgimtarët

Komuna e Vushtrrisë do të ofrojë shërbime për mërgimtarët edhe të shtunave deri në fund të muajit gusht.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, përmes një postimi në Facebook, ku tha se për mërgimtarët të shtunave do të ofrojnë shërbime zyra e Gjendjes Civile dhe Qendra për Shërbim me Qytetarë.

“Të dashur bashkatdhetarë, nga sot e deri më 31 gusht Komuna e Vushtrrisë do të ofrojë shërbime për ju edhe ditën e shtunë. Enkas për këtë kemi hapur sportele që do të ofrojnë shërbime vetëm për diasporën të shtunave nga ora 10:00 e deri në orën 14:00. Shtatë zyrtarë në Zyrën e Gjendjes Civile dhe në Qendrën për Shërbim me Qytetarë do ju mirëpresin. Mirë se vini dhe pushime të rehatshme”, ka shkruar Idrizi në Facebook.