Kosova këtë vit pritet të arrijë eksport në vlerë prej 1 miliard eurosh

Kosova gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti ka eksportuar mallra në vlerë prej rreth 500 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganës së Kosovës.

Stavileci ka thënë në “Sot” të KTV-së të premten se pritet që vlera totale e eksportit deri në fund të këtij viti të arrijë në 1 miliard euro.

“Kemi pasur një vit të suksesshëm në aspektin e eksportit të produkteve, ky vit, deri tani kemi eksportuar rreth 500 milionë euro mallra në vendet e ndryshme të botës, që në krahasim me vitin e kaluar nënkupton një rritje prej 30%. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kemi pasur rreth 300 milionë euro mallra të eksportuara. Presim që deri në fund të këtij viti të arrijmë deri te 1 miliard mallra të eksportuara që paraqet një rekord”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, e rëndësishme është që këtë vit është rritur eksporti i shërbimeve të ndryshme, siç janë ato nga fusha e IT-së.

Po ashtu, ai ka thënë se këtë vit ka pasur rritje të produkteve finale që janë eksportuar.

Ndërkohë, duke folur për shkëmbimet tregtare me Serbinë, Stavileci ka thënë se ka rënie të importit nga ky shtet, ndonëse siç ka shpjeguar vlera është më e madhe për shkak të rritjes së çmimeve.

“Sasia e produkteve nga Serbia që vijnë në Kosovë është më e ulët se vitin e kaluar por vlerat e mallrave kanë ndryshuar”, është shprehur Stavileci.