Krasniqi: E kam ftuar ekipin për hartimin e statutit të Asociacionit, nuk kam marrë përgjigje

Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se e ka ftuar në takim ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo nga të njëjtit nuk ka marrë përgjigje.

Sipas njoftimit të Krasniqit, ky ekip është i përbërë prej katër personave, njofton Klan Kosova.

“Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues”.

“Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal”.

“Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”.

Dokument

Sipas tij, janë gjithsej tre vendime të Ministrisë së Pushtetit Lokal të tre qeverive të ndryshme, që janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë Thaçi.

Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë Mustafa.

Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë Hoti.