Krasniqi mbetet konsistent, nuk i shkon prapë Kurtit në takim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vazhduar konsistencën e tij, duke vendosur prapë të mos shkojë në takim me kryeministrin Albin Kurti, të premten.

Nëpërmjet një video selfie të publikuar në faqen e tij në facebook, lideri i opozitës kosovare tha se ftesa e kryeministrit Albin Kurti është joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, transmeton klankosova.tv.

”Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për cështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët nderkombëtar të Kosovës”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se kryeministri Kurti po e fsheh prej qytetarëve dhe institucioneve këtë document dhe po ashtu po e fshehë pozicionin në këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës.