Kryetari i Leposaviqit qe 6 muaj brenda komunës: Kur të më merr malli me shku në shtëpi, shkoj

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka folur për ngujimin e tij në objektin e komunës për më shumë se gjashtë muaj.

Ai ka thënë se kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë, por as e vështirë.

“Nuk ka qenë e lehtë, por as e vështirë sepse vendosmëria është në pyetje këtu. Ia ka vlejt se shumica e serbëve në Leposaviq janë duke ardhur duke kërkuar punë, ndihma. Qe ni javë e kemi qit një aplikacion, janë duke aplikuar serbëvt për subvencionë në bujqësi”, tha ai për T7. 

Ai ka thënë se është takuar me djalin dhe vajzën e vogël, por jo të tjerët.

“Takimet me familje, përpos me djalin dhe çikën e vogël që na kanë vizitu këtu brenda ditës me punëtorë, takime me familjarë tjerë s’kam pas”, tha ai.

Ai u pyet nëse e ka marrë malli të shkojë në shtëpi.

“Jo, kur t’më merr malli shkoj unë kur të du”, tha ai.

Hetemi tha se nuk lëshon pe. “E apeloj kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës dhe të gjithë njerëzit që të mos lësjojnë pe, sepse Banjska ka ndryshuar gjithçka në favor të Kosovës”.