Në kuadër të aktiviteteve në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu, Kryetarin e Kuvendi, Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pas homazheve, kryeministri Kurti, kryekuvendari Konjufca, zëvendëskryeministrja Gërvalla dhe pjesëtarë tjerë të kabinetit qeveritar vizituan familjen Jashari. Aty u mirëpritën nga Rifat Jashari.
Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:
Tre breza të Jasharëve, 59 veta gjithsej, rreth gjysma gra e fëmijë, u flijuan me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, për çlirimin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin.
Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare. Shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan, por edhe gjithandej në mërgatë, e njëkohësisht edhe u vetëdijësua e ndërgjegjësua edhe publiku ndërkombëtar edhe diplomacia botërore.
Sot, baca Shaban do të ishte 100 vjeç, e sivjet Hamza do të bëhej 75 vjeç e Ademi 70 vjeç. Ata nuk i kemi më fizikisht, por ata kanë vetëm ditëlindje: e kanë 2 prillin, 19 prillin dhe 28 nëntorin. Ndërkaq, vdekja e tyre, rënia e tyre heroike është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tash ndonëse nuk e kemi kryekomandantin, Adem Jashari, bacën Shaban e Hamzën dhe të gjithë të tjerët të Jasharëve që u sakrifikuan para 27 vjetëve, e kemi bacën Rifat që do ta vizitojmë në shtëpinë plot nipa e mbesa, por mbi të gjitha e kemi Kosovën Republikë, me demokraci dhe zhvillim.
Lavdi kryekomandantit Adem Jashari!
Lavdi familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!