Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti e falënderoi Hamzën për bashkëpunimin në Kuvend, veçanërisht në procesin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Nga ana e tij, Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar në çështje që kanë rëndësi shtetërore dhe kombëtare.
Palët diskutuan për zhvillimet politike në vend dhe më gjerë, si dhe për nevojën e hapjes së një kapitulli të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, në funksion të interesit të Republikës së Kosovës, pluralizmit partiak dhe demokracisë.
Temë e veçantë e bisedës ishte edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit të vendit, për të cilin, sipas afateve kushtetuese, kanë mbetur edhe 10 ditë kohë. U vlerësua se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike është i domosdoshëm, duke pasur parasysh se për një votim të suksesshëm kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit.
Nga Zyra e Kryeministrit u bë e ditur se Kurti nesër do të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.