Kurti: Nga dita e nesërme kafeteritë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare hapen

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, pas mbledhje së Qeverisë, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të përbashkët për media, ka bërë prezantimin e vendimeve që ka marrë kabineti qeveritar, e që kanë të bëjnë me liberalizimin e mëtutjeshëm të masave ndaj pandeminë COVID–19.

Fillimisht, kryeministri në detyrë Kurti, falënderoi të gjithë qytetarët e Republikës, të cilët edhe kur këto masa kanë qenë tejet rigoroze, me një kulturë qytetare të jashtëzakonshme, me një disiplinë që buronte nga ndërgjegjja njerëzore me një përmasë të pashembullt kanë respektuar të gjitha vendimet e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Shëndetësisë dhe këshillat e mjekëve të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, tha se fakti që po hiqen gjithë këto masa nuk do të thotë që duhet të heqim edhe kujdesin tonë. Vazhdon të jetë e domosdoshme që të gjitha udhëzimet, këshillat e IKSHPK-së, të jenë të respektuara në plotni, e gjithashtu të ndiqen me vëmendje vendimet e ardhshme të Ministrisë së Shëndetësisë që bazohen në rekomandime shkencore të IKSHPK-së.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit që keni ardhur në këtë konferencë për media, dhe që jeni rikthyer tashmë në këtë sallën e konferencave, porsi ne në sallën e mbledhjeve të Qeverisë  P-31, ku nuk kemi qenë për dy muaj e gjysmë përafërsisht.

Një ndër vendimet e rëndësishme që porsa morëm tani me kabinetin qeveritar është ai për liberalizimin e mëtutjeshëm të masave në ballafaqimin me pandeminë COVID – 19.

Së pari, ne ju falënderohemi të gjithë qytetarëve të Republikës të cilët edhe kur këto masa kanë qenë tejet rigoroze, me një kulturë qytetare të jashtëzakonshme, me një disiplinë që buronte nga ndërgjegjja njerëzore me një përmasë të pashembullt kanë respektuar të gjitha vendimet e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Shëndetësisë dhe këshillat e mjekëve të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Atëherë ishte koha kur ne kishim nevojë për masa rigoroze dhe disiplinë të skajshme. Tash nga dita e nesërme mund të fillojmë me një hapje e cila nuk është absolute dhe e plotë, por sigurisht që është sinjifikante.

Konkretisht, ajo çfarë po bëjmë, është që po i rihapim kopshtet dhe çerdhet për moshat nga 0 deri në 5 vjet, në Institucionet publike dhe private të nivelit parashkollor.

Pastaj, po e bëjmë organizimin dhe përgatitjet për testin e arritshmërisë në klasat e nënta; organizimin, ambientimin dhe përgatitjet e testin e maturës me nxënësit e klasave të dymbëdhjeta, pra kthimi i klasave të dymbëdhjeta, kthimi i klasave të nënta, prej datës 08 qershor, ndërkaq kthimi klasave të dymbëdhjeta prej datës 15 qershor dhe mbajtja e testit të maturës me 04 korrik.

Do të bëhet edhe lejimi i orëve praktike/laboratorike për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe organizimi i provimeve duke zbatuar në mënyrë strikte rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike;

Me datën 13 mars, e patëm marrë vendimin për t’i mbyllur kufijtë tokësor të Kosovës, sot porsa shfuqizuam pikën 4 të atij vendimi dhe në këtë mënyrë i hapim kufijtë tokësor të Kosovës, por të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve, në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19.

E kemi shfuqizuar edhe pikën 6 të atij vendimi të 13 marsit, me të cilin janë mbyllur kafeteritë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare. Pra, këto të njëjtat tash hapen. Nga dita e nesërme kafeteritë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare në Republikën e Kosovës hapen.

E kemi shfuqizuar edhe pikën 9  të të njëjtit vendim të Qeverisë, me të cilin u patën reduktuar veprimet dhe stafi në nivel esencial për çdo institucion publik, pra, tash nuk ekziston më reduktimi i tillë.

Gjithashtu, e kemi shfuqizuar edhe pikën e 1.3 të një Vendimi të Qeverisë të datës 27 mars, lidhur me ushtrimin e veprimtarive të barnatoreve të licencuara të Republikës së Kosovës.

Fakti që ne po heqim gjithë këto masa nuk do të thotë që duhet të heqim edhe kujdesin tonë, pra është e domosdoshme që të gjitha udhëzimet, këshillat e IKSHPK-së, të jenë të respektuara në plotni e gjithashtu edhe t’i ndiqni me vëmendje vendimet e ardhshme të Ministrisë së Shëndetësisë që bazohen në rekomandime shkencore të IKSHPK-së.

Unë tash para se t’jua jap fjalën juve për pyetjet tuaja, po ja kaloj atë ministrit në detyrë të Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitisë.