Kurti pas deklarimit të Lajçakut: Nuk bën të barazohet fjala komunitet me fjalën komunë apo asociacion

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar sërish për nenin 7 të marrëveshjes bazë të propozuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e për të cilën palët janë dakoduar, dhe ku përmendet vetëmenaxhimi i komunitetit serb.

Lajçak në një intervistë të martën, ka deklaruar se ky nen nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Dua të jem i qartë, Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”, ka thënë ai për REL-in.

Ndërsa, lidhur me këtë Kurti ka thënë se ekziston një dallim me komunave dhe komunitetit pasi sipas tij, ky i fundit nuk është kategori territoriale.

“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet një nivel adekuat i vetmenaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komunitetit jo komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale. Komunat janë njësi territoriale dhe administrative, pra nuk është e njëjta gjë. Unë e kuptoj që s’janë krejtësisht të ndryshme, por nuk janë e njëjta gjë”, është shprehur kreu i ekzekutivit.

Ai tutje ka ripërsëritur atë që ka thënë në Kuvendin e Kosovës se “nga pikëpamja ime juridike kur themi komuniteti serb, atëherë shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas Këshillit të Evropës”.

“Kjo është platforma në të cilën angazhohemi për komunitetet, përfshirë edhe atë serb. Ne nuk e mohojmë që janë bërë dy marrëveshje nga paraardhësit tanë, por të dyja janë shumë të cenuara në të kaluarën. Marrëveshja e parë është cenuar nga vetë presidenti i Serbisë, ndërsa marrëveshja e dytë e vitit 2015 nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, duhet t’i kemi parasysh edhe këto elemente”, ka deklaruar Kurti duke shtuar se “nuk bën të barazohet fjala komunitet me fjalën komunë apo asociacion”.