Kurti: S’do lejojmë ‘Serbi të dytë’ në Kosovë, si në Bosnje – Asociacioni është i papranueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u zotua se s’do lejojë një ‘Serbi të dytë’ në Kosovë si në Bosnjë e Hercegovinë.

Kurti deklaroi se në Bosnjë e Hercegovinë kanë filluar dukei bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom i cili saboton shtetin e Bosnjë Hercegovinës.

“Unë nuk jam kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh dhe nuk mund të lejoj një republikë serbe të dytë në Kosovë ngjashëm siç e kanë në Bosnje sepse edhe atje kanë filluar duke i bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom, i cili e saboton shtetin e Bosnje Hercegovinës”, deklaroi Kurti.

Tutje tha se, Serbia më herët kishte provuar shkëmbim territorial dhe ndarje të Kosovës por që nuk ia kishte dalë ta bënte.

“Unë besoj se ngjashëm e kanë synimin edhe në Kosovë, pa harruar asnjëherë se krerët në Serbi janë ata që para pak viteve provuan ta bëjnë projektin e shkëmbimit territorial , i cili si ide nuk mund të them se ka vdekur, por si projekt gjithsesi dështoi”, u shpreh kryeminsitri.

Kurti përmendi Asociacionin për të cilin tha se për Kosovën është i papranueshëm.

Pra, të njëjtët që provuan ndarjen e Kosovës në emër të shkëmbimit territorial, janë ata të cilët tashmë me shumë ngulm e kërkojnë Asocionin e Komunave me Shumicë serbe, që është i papranueshëm për ne. Prej marrëveshjeve që përmendët, besoj se kryesorja që kurrsesi nuk bën të zbatohet është kjo”, tha Kurti në emisionin ‘Çim Peka Live’.