Kurti thotë se qytetarët po shpenzojnë shumë rrymë, zotohet për zgjidhje për krizën energjetike

Kryeministri, Albin Kurti, tha se qytetarët po shpenzojnë shumë rrymë, edhe për shkakun se ajo është lirë. 

Në seancën ku po diskutohet për ta gjetur një zgjidhje lidhur me krizën e energjisë elektrike, Kurti tha se Kosova është e fundit në rajon që po e kaplon kjo krizë, raporton Ekonomia Online. 

Ai tutje përsëriti se kriza e ka përfshirë gjithë rajonin dhe më gjerë dhe se shtetet po ndërhyjnë në prodhim, konsum dhe tregun e energjisë elektrike.

“Ne në mbledhjen e fundit të Qeverisë e kemi adresuar krizën energjetike e cila po na troket në derë, mirëpo ne megjithatë jemi të fundit që po na kaplon kriza. Rajoni ynë, por edhe më gjerë, një pjesë e madhe e kontinentit, ndodhen tash e shumë kohë në krizë energjetike”.

“Shtetet po ndërhynë si rrallë më parë në prodhimin, konsumin dhe tregun energjetik. Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, për derisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 vent për kilovat/orë. Pra, është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”.

Ai tha se konsumi i energjisë elektrike ditët e fundit është shumë i madh, ndërsa si faktorë përmendi stinën e dimrit, por tha se kjo po ndodh, ndër tjerash, edhe për shkak se energjia elektrike është lirë në Kosovë.

“Tash kur kërkesa rritet dhe kapacitetet janë të brishta, sigurisht që gjendja rëndohet, por me KEK-un, me KOSTT-in, me ZRrE-në po punojmë ta gjejmë zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që të kemi edhe furnizim të qëndrueshëm, por edhe ta zbusim krizën energjetike në të cilën nuk ndodhemi vetëm ne”.