Kuvendi i Kosovës mban tri seanca këtë javë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca gjatë kësaj jave. Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur të hënën.

Sipas saj, seanca e parë do të zhvillohet të enjten, më 23 prill, me fillim nga ora 10:00. Ndërkaq, dy seanca të tjera janë paraparë për ditën e premte.

Njëra nga seancat e së premtes do të jetë solemne dhe do t’i kushtohet ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, i cili ka ndërruar jetë më 10 prill. Seanca tjetër do të jetë e rregullt, ku pritet të shqyrtohen disa pika të rendit të ditës, përfshirë çështje që lidhen me Bordin e RTK-së dhe KPM-së.

“Kemi vendosur që t’i mbajmë tri seanca të Kuvendit, secila prej tyre është më e rëndësishme se tjetra, kemi obligime para qytetarëve”, deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi se këto seanca synojnë përmbushjen e obligimeve institucionale dhe trajtimin e çështjeve me rëndësi për vendin.