Kuvendi mbildhet sot me dy seanca

Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të zhvillojë sot dy seanca të rëndësishme, në një klimë të tensionuar politike dhe me afate kushtetuese që po afrohen.

Seanca e parë, e cila nis në ora 09:00, do t’i kushtohet nderimit të akademikut të ndjerë Rexhep Qosja, një nga figurat më të njohura të kulturës dhe mendimit shqiptar, shkruan Gazeta Stop.

Ndërkohë, nga ora 12:00 deputetët do të mblidhen në një seancë të rregullt plenare, ku përveç pikave të zakonshme të rendit të ditës, vëmendja kryesore mbetet te zhvillimet politike që lidhen me zgjedhjen e presidentit të vendit.

Situata bëhet edhe më kritike për shkak të afatit kushtetues: nëse deri më 28 prill në ora 00:00 nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi mund të përballet me shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja parlamentare. Ky skenar do të thellonte krizën politike dhe do të hapte një kapitull të ri pasigurie institucionale.

Për këtë arsye, seanca e sotme plenare shihet si një moment kyç, ku pritet të shihet nëse forcat politike do të arrijnë kompromis apo vendi do të hyjë në një proces të ri zgjedhor.