Ligji i pagave, SBASHK-u kërkon nga ministrja Nagavci që të procedohet në Kuvend

Përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë takuar sot ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, me të cilën kanë biseduar për Ligjin e Pagave.

Në njoftimin e SBASHK-ut thuhet se kjo sindikatë ka kërkuar që Qeveria të punojë për përmirësimin e lëshimeve dhe në takime me sindikatat të përgatisë sa më shpejt këtë Ligj për ta proceduar në Parlamentin e Kosovës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri kanë ritheksuar se presin takime dhe dialog me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe me kryeministrin Albin Kurti në mënyrë që çështjet të debatohen e zgjidhen me dialog me qëllim që të mos ketë arsye për veprime sindikale.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut janë deklaruar se komunikimi dhe bashkëpunimi mes SBASHK dhe MASHTI në shërbim të arsimit është shembull i mirë, por një komunikim e bashkëpunim i tillë duhet të jetë  edhe me Ministrin Murati, por edhe me Qeverinë në tërësi sepse kështu krijohet klimë e mirëkuptimit dhe gjenden zgjidhje të pranueshme për të mos pasur arsye për tensionime të situatës në arsim dhe për  veprime sindikale”, thuhet në njoftim.

Ata po ashtu  i kanë deklaruar ministres Nagavci se kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë për të mbështetur pensionistët, por kanë kërkuar që Qeveria të ndaj një mbështetje buxhetore, së paku edhe për punëtorët tekniko –ndihmës dhe për të punësuarit tjerë që kanë paga të ulëta me qëllim që ata më lehtë të përballojnë ngritjen e vazhdueshme të çmimeve.

Sipas njoftimit të SBASHK-ut, ministrja Nagavci është shprehur se do të analizojë me kujdes gjithë këto kërkesa dhe se do të angazhohet për të krijuar  mundësi për takime e dialog të mirëfilltë mes SBASHK-ut, ministrit Murati, por edhe të Qeverisë së Kosovës në tërësi.