Lista Serbe sot mban tubim në Mitrovicë, Rakiq ka dy kushte për Kurtin

Sot Lista Serbe do të organizojë një tubim në veri të Mitrovicës.

Në njoftimin e lëshuar dje, thuhet se kjo mbledhje po bëhet për të treguar “se sa shumë e duan Serbinë”, derisa iu bë thirrje që flamujt të vendosen në dritaret e shtëpive.

“Vëllezër e motra, le të mblidhemi të gjithë nesër në kuvendin e përgjithshëm kombëtar në Mitrovicë në ora 12:00, para përmendores së perandorit Llazar nga do t’i themi Europës dhe botës njëzëri dhe unanimisht se vendi ynë i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq! Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë. Flamujt në dritare!!!”, thuhet në njoftimin e djeshëm.

Ndërkaq kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka njoftuar se ka dy kushte për kryeministrin Kurti. 

Ai tha se ata nuk do të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës deri në momentin që kryeministri Albin Kurti të tërheq vendimin për targat dhe të nis formimin e Asociacionit në përputhje me marrëveshjen e parë të nënshkruar në Bruksel.

“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, ka deklaruar Rakiq.

Nisja e zbatimit të modifikuar për targat nga Qeveria e Kosovës dhe suspendimi i drejtorit të policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi të zbatonte vendimin ishin arsyet pse Lista Serbe tha se po del nga institucionet. Ky vendim u përkrah nga qeveritarët serbë, të cilët sot u mblodhën në Beograd për Kosovën.