Marrëveshja e Bratisllavës: Nga nesër nis tërheqja e 25% e Policëve te komunat në Veri

Nga nesër do të nisë zvogëlimi i pranisë së Policisë së Kosovës edhe për 25 për qind në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës. Kjo do të çojë në 50 për qind më pak të Policisë në dhe rreth objekteve të këtyre komunave. 

Kjo ka ardhur pas një vlerësimi të përbashkët nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se nga ky takim i mbajtur është vlerësuar se situata në veri është e mirë.

“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.

Më 13 korrik janë larguar 25 për qind e Policisë së Kosovës nga dhe rreth objekteve komunale në veri. 

Në mesin e katër pikave, me qëllim të shtensionimit të situatës në veri, Kosova pajtuar që të tërheqë për 25 për qind të prezencës së Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale.

“Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhet në njërën nga katër pikat e zotimit me Bashkimin Evropian.