Mblidhen firmat në KiE për mocion për rezolutë të re për Kosovën, Rama: Drejtësia do të triumfojë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri sot të ditur se janë mbledhur firmat në Asamblenë e Këshillit të Evropës (KiE) për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuza për trafik të organeve njerëzore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur si raporti i Dick Martyt.

“I mblodhëm më në fund firmat në Asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore”, u shpreh Rama, në rrjetet sociale.

Kryeministri theksoi se “rruga e drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.”

Në 12 tetor 2022, në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së, Rama i bëri thirrje Këshillit të Europës që të rrëzojë akuzat kundër Kosovës dhe të pranojë kërkesën e Shqipërisë për një rezolutë të re.