Meta rivalizon Twitterin me aplikacionin e ri

Një aplikacion i ri nga kompania Meta, e që do ta rivalizojë direkt rrjetin e madh social, Twitter, do të lansohet të enjten, në një kohë kur përdoruesit po shohin alternativa për t’i ikur platformës së Elon Muskut.

“Threads”, që është i lidhur me Instagramin, është parë të martën në “AppStore”, pak ditë para lansimit. Meta veçse ka publikuar një uebfaqe që ka nisur numërimin së prapthi deri në lansim.

Sipas raportimeve, “Threads” do të jetë hapësira ku “komunitetet mund të diskutojnë për gjithçka”.

Image

“Çka do që ju intereson, mund ta ndiqni dhe të lidheni direkt me krijuesit tuaj të preferuar dhe të tjerët që duan të njëjtat gjëra – ose të krijoni një bazë të ndjekësve të ideve, opinionit e kreativitetit”, thuhet në tekstin paralajmërues të faqes.

Siç është bërë e ditur deri tash, për t’u kyçur në këtë aplikacion mund të përdoret Instagrami. Aplikacioni pritet të ngjajë me Twitterin e të përfshijë disa prej veçorive kryesore si ripostimi, pëlqimi apo t’ua mundësojë njerëzve të kufizojnë se kush mund t’u përgjigjet në postime.

“Threads” duket emër i ri, por daton që nga viti 2019, kur Meta u përpoq të rivalizonte Snapchatin. Produkti më vonë u braktis nga kompania.

Së fundmi janë shtuar përpjekjet e kompanive teknologjike për të rivalizuar Twitterin që po konsiderohet se ka nisur rënien. Javën e shkuar, Twitteri nisi të kufizojë numrin ep ostimeve që mund të shikohen për ditë, ndërsa ka nxitur reagime edhe me mënyrën e menaxhimit nga miliarderi Elon Musk, që ka nisur të kërkojë pagesa për shumë veçori.