Mikonosi kushton, talenti i futbollit paguan 500 mijë euro për një drekë


Erling Haaland është ngjitur vërtet në majën e botës, dhe po shijon çdo pasojë të kësaj arritjeje spektakolare. Vetëm pak vite më parë befasonte të gjithë me 9 gola në një ndeshje të Botërorit U-20, ndërsa sot, norvegjezi është një prej sulmuesve më të fortë në botë, edhe pse vetëm 21 vjeç.

Por “bëma” e fundit e tij nuk vjen nga fusha e blertë. Tani është kohë pushimesh dhe ai ka gjetur vendin ideal për të shijuar ditët e nxehta të verës, ishullin e Mikonosit. Sipas raportimeve në mediat greke, Haaland nuk është kursyer fare, kur për një drekë ka paguar 500 mijë euro, duke lënë edhe 30 mijë euro bakshish.

Të gjithë e dinë që Mikonos është ishulli i luksit të shfrenuar, por sipas “Sportime” gjatë një dreke me miq, që ka zgjatur rreth 5-6 orë, dhe ku ishte i pranishëm edhe lojtari i Manchester City-t, Riyad Mahrez, sulmuesi ka paguar faturën prej gjysmë milionë eurosh. Një shifër marramendëse për këdo, por jo për Haaland, i cili fiton rreth 162 mijë euro në javë te Dortmund.

“Ngjarja” ka ndodhur në kompleksin Nammos, një rezidencë luksoze pranë plazhit, me restorante me prodhime deti dhe bare, që përshkruhet si “vendtakimi” i yjeve.