Ministrja Haxhiu nesër niset për në Hagë, nuk do të takohet me Thaçin e Veselin

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, nesër do të udhëtojë për në Hagë, ku pritet ta vizitojë edhe qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale 

Lajmin për Sinjalin e konfirmuan nga kabineti i Haxhiut, duke njoftuar se ajo do të takohet me Jakup Krasniqi, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin , Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën.

Mirëpo, ajo nuk do të takohet me ish-presidentin, Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin, Kadri Veseli, që të dy ish-kryetarë të PDK-së.

Arsyeja e mostakimit të tyre është se Thaçi e Veseli ende nuk ka kthyer përgjigje.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputetin Erxhan Galushi, do të qëndrojnë në Hagë me qëllim të takimit me personat që po mbahen në paraburgim. Delegacioni nga Republika e Kosovës do të takohet me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën”, tha Nimoni.