Nga 1500 deri 5000 euro, MINTI gjobit KEDS-in për njehsorë e rrymës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit njofton se, pas ankesave të pranuara nga konsumatorët, ka intensifikuar kontrollet në terren përmes Komisionit Verifikues për njehsorët elektrikë.

Sipas njoftimit të MINTI-t, gjatë verifikimeve të kryera në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”, njofton MINTI.

Tutje, ministria thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe në trajtimin me prioritet të çdo ankese të adresuar në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Po ashtu, MINTI njofton se për të lehtësuar raportimin e parregullsive në treg, është funksionalizuar një numër mobil për pranimin e ankesave. Qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre në çdo kohë, përfshirë edhe ditët e vikendit dhe festat, si dhe përmes platformës Viber.

Numri për pranimin e ankesave është: +383 (0) 46 311-000.