Mustafa kritikon BE-në: Dialogu po e humb kuptimin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar Serbinë dhe BE-në se me sjelljet e tyre po bëjnë që dialogu të humb kuptimin.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj”.

“Kosova e vlerësoi fjalimin e një deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Ai e tha të vërtetën!
Por ne dëgjuam edhe betimin e çdo ministri serb, tjerë përveç serbëve nuk ka në ‘demokracinë serbe’ se ‘do të jem i përkushtuar ruajtjes së Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë’”, ka shkruar Mustafa.

“Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj?”, ka pyetur Mustafa

Postimi i plotë i Mustafës

“Qytetarë të nderuar,
Me sjelljet e Sebisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj.
Kosova e vlerësoi fjalimin e një deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Ai e tha të vërtetën!
Por ne dëgjuam edhe betimin e çdo ministri serb, tjerë përveç serbëve nuk ka në “demokracinë serbe” se “ do të jem i përkushtuar ruajtjes së Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.
Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj?
Kosova është treguar konstruktive karshi dialogut dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për këtë proces. Edhe Kryeministri Hoti po tregon përkushtim shumë konstruktiv.
Por ky përkushtim i yni, kam përshtypje se nuk po vlerësohet nga BE. Bile ka tendenca të hapen
disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në “Pakon e Ahtisarit” .
Kundërshtimi i vendeve të caktuara të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarë e vendit tonë, edhepse janë përmbushur të gjitha kriteret, më shumë flet për një qëndrim paragjykues të tyre, sesa për parime. Ne kemi dëshirë të besojmë se vendet e tilla ia duan të mirën Kosovës. Por kjo ide nuk pasqyrohet përmes politikave të izolimit të qytetarëve të një vendi. Politikat e izolimit nuk përkojnë me demokracinë dhe kulturën evropiane. Ndërkaq ne nuk heqim dorë nga të qenurit evropian, me territor, me arsim, me kulturë e me ekonomi. As vizat dhe as Serbia nuk na ndalin në këtë rrugë. IM”, ka shkruar Mustafa.

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti, insiston që Kosova në dialog me Serbinë shkon vetëm për një marrëveshje finale, e cila do të kishte në vete njohjen reciproke.

Autoritetet në Prishtinë refuzojnë që të bisedojnë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Beogradi zyrtar insiston që ky organ të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.