Mustafa: Kurti po i sjell në gisht analfabetët funksionalë, askush s’po pyet se çfarë po punon

sh-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se para se “të ndërrohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të ndryshojë opinioni në Kosovë”.

Mustafa në një postim në Facebook ka thënë se se Kurti nuk po lodhet për “ekonomimë, investimet, shkollat apo spitalet dhe se po i sjell në gisht analfabetët funksionalë dhe kopjuesit e tij politikë me retorikë propaganduese milimetrike”.

“Deklarata e z. Kurti korrespondon me mënyrën se si erdhi në pushtet. Qartë se ai nuk po lodhet shumë as për ekonominë, investimet, shkollat, spitalet… në vend të kësaj po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij politik me retorikë propaganduese milimetrike. Askush nga ta nuk shtron pyetjen se çfarë po punon Albini e ku po i mban duart, por çfarë thotë Albini, i cili e ka kuptuar mirë logjikën e opinionit. Prandaj para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka reaguar pas deklaratave të Kurtit në konferencë për media, që tha zgjedhjet e reja “do ta zhduknin opozitën”. Mustafa ka thënë se në disa deklarata e shkrime është kundërshtuar Kurti duke u marrë si argument deklarata që kishte dhënë vetë ai para 11 vjetëve në zgjedhjet për kryetar të Prishtinës. Mustafa atëbotë kishte thënë se zgjedhjet në Prishtinë i fiton me duar në xhepa, por e kishte humbur garën atbëotë nga Shpend Ahmeti, që ishte kandidat i Vetëvendosjes.

Mustafa ka thënë se para 11 vjetëve ishin bërë kundër LDK-së të gjithë ata që tash po tentojnë ta rrëzojnë Kurtin.

“Po lexoj sot disa deklarata dhe shkrime që mundohen të kundërshtojnë z. Kurti i cili kishte thënë se zgjedhjet tani do ta zhduknin opozitën. Si argument të tyre kundër Kurtit e marrin deklaratën, time të para 11 viteve se zgjedhjet në Prishtinë do t’i fitoj me duar në xhepa. Në mandatin që kisha dhënë këtë deklaratë në Prishtinë kishim ndërtuar mbi 25 shkolla në qytet dhe fshatra, mbi 30 terrene sportive e shumë qendra mjekësore, kishim filluar me të madhe gjelbërimin e qytetit, punohej në përfundimin e Fabrikës së ujit në Shkabaj, në investimet në kogjenerim për ngrohje të qytetit nga TC Kosova B, punohej në ndërtimin e sheshit ‘Ibrahim Rugova’ dhe atij ‘Zahir Pajaziti’, përfundohej Rruga B, që është shndërruar tani në qendër alternative të Prishtinës, përfundoheshin kolektorët dhe ndërtimi i rrugëve mbi ta në Lakrishtë dhe te banesat sociale, trajtohej unaza e jashtme e Prishtinës….Këto nuk bëheshin me duar në xhepa, siç mendojnë disa sot. Unë besoja në punët që i bënim. Atëherë u bashkuan të gjithë me z. Kurti kundër LDK-së; të gjithë këta që sot duan ta rrëzojnë”, ka thënë Mustafa.