“Ne jemi të lirë, e ai është i gjallë”, Osmani: Beteja e Jasharajve mobilizoi bashkësinë ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca nisi me nderime për himnin shtetëror dhe atë kombëtar. Pas kësaj deputetët dhe të pranishmit e tjerë në seancë kanë mbajtur një minutë heshtje për të gjithë të rënët për luftë dhe pavarësi të Kosovës.

Të pranishmeve iu drejtua me një fjalë rasti presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tha se ngjarjet e 5,6,7 marsit të vitit 1998 përbëjnë jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe njërën ndër shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri Republika e Kosovës.

“Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimit të vajzave e djemve të UÇK-së të cilët për tri ditë gjatë betejës në Prekaz në një përballje heroike me forcat e regjimit gjenocial të Serbisë, fituan përjetësinë”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se kjo Epope e UÇK-së është Epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë tonë.

“Në këtë betejë të lavdishme u përjetësua vendosmëria e familjes Jashari dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të kësaj toke. Sot një çerek shekulli më pas kujtojmë me përulje sakrificën e kësaj familje dhe të gjithë dëshmorëve që u shndërruan në simbol të rezistencës për liri”, tha Osmani.

Osmani shtoi se ne e fituam lirinë sepse e njohëm peshën e saj me shekuj.

“E fituam atë sepse ne qëndruam, e përballuam dhimbjen dhe luftuam të bindur në fitoren përfundimtare. Beteja e Jasharajve ndihmoi edhe në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës. Pamjet e fëmijëve , të grave e të pleqve të vrarë në pragun e shtëpisë së tyre nuk mund të kaloheshin heshtur nga diplomacia ndërkombëtare, ato u shndërruan në thirrje për ti mbrojtur vlerat njerëzore”, tha Osmani.

Ajo shtoi se Adem Jashari mbetet emblemë e përhershme e lirisë tonë.

“Komandanti legjendar u ngrit vuri në gatishmëri vetën dhe familjen për tu bërë pastaj emblemë e përhershme e lirisë tonë. Ai është personifikim i heroizmit dhe sakrificës. Përfundimisht ne jemi të lirë e ai është i gjallë”, tha Osmani. /Telegrafi/