Në tre qytete të Kosovës kapen 45 kg drogë, arrestohen 6 përsona


45 kilogramë substanca narkotike janë kapur në Prishtinë, Pejë e Gjilan sot, ndërkaq janë arrestuar gjashtë persona.

Për kapjen e kësaj sasie të narkotikëve janë zhvilluar tri operacione policore.

Sipas njoftimit, në operacionin e parë organet janë njoftuar se në rrugë operative se në teren është duke u kryer një transport i një sasie të dyshuar të substancës narkotike, derisa bëhet e ditur se njësitet e antidrogës në rajonin e Prishtinës kanë zhvilluar një plan taktik me ç ‘rast në orët e pasdites në Magjistralen Prishtinë-Gjilan, afër fshatit Hajvali në asistencë edhe të njësive për reagim të shpejtë të Policisë në Prishtinë (NJRSH), është arritur të ndalohet një automjet i tipit Golf 7, me targa vendore.

“Gjatë operacionit të kontrollit në bagazhin e automjetit janë gjetur tri (3) çanta me gjithsej nëntë (9) paketime me substancë të dyshuar narkotike. Pas verifikimit dhe matjeve nga policia ka rezultuar se substanca ishte e llojit marihuanë dhe peshonte njëzet e gjashtë mijë e treqind gram (26300 gr. apo 26.3 kilogram). Droga është sekuestruar dhe bashkë me të si prova materiale janë konfiskuar automjeti dhe dy celular. Në koordinim me prokurorin kompetent, është iniciuar rasti dhe personi i dyshuar është derguar në mbajtje për 48 orë për proceduar të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq operacioni i dytë, po ashtu sot është realizuar në koordinim me stacionin policor në Klinë, rajoni i Pejës, ku gjatë verifikim dhe kontrollit të dy personave, në një automjet janë gjetur dhe sekuestruar sasi e dyshuar e substancës narkotike. Gjatë kontrollit më në detaje, drogë e llojit marihuanë ka rezultuar të jetë fshehur edhe nën plastikën e ventilimit mbi motor të automjetit ne peshë prej mbi 500 gram. Në këtë rast si dëshmi janë konfiskuar edhe një thikë, dy pako rizlla dhe para të gatshme, përdërisa dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës janë derguar në mbajtje për procedura të mëtejme.

“Operacioni i tretë, i anti drogës së Policisë së Kosovës i koduar me emrin “ Trekëndëshi” sot ka vënë nën pranga tre (3) persona të dyshuar (dy shtetas kosovar dhe një shtetas shqiptar) dhe është realizuar në mbështetje të njësitit policor për reagim të shpejtë (NJRSH) në Gjilan dhe njësive tjera. Ky operacion i suksesshëm policor ka rezultuar me konfiskimin e rreth nëntëmbëdhjetë (19) kilogramëve substancë të dyshuar narkotike, e cila është gjetur në automjetin e njërit nga të dyshuarit. Si dëshmi janë sekuestruar, droga rreth (19 kg), dy automjete dhe para kesh 958 euro dhe 2700 lekë. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorin dhe gjykatën themelore në Gjilan, përderisa tre të dyshuarve ju caktohet masa e ndalimit policor”, thuhet tutje në njoftim.