Nisin punimet për rindërtimin e rrugës Kijevë–Malishevë, investimi mbi 5.6 milionë euro

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për projektin “Rikonstruktimi i rrugës rajonale R119, segmenti Kijevë – Malishevë”.

Gjatë ceremonisë në Malishevë, Kurti e cilësoi këtë investim si një projekt të rëndësishëm për banorët e zonës së Llapushës dhe më gjerë.

“Me rindërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë, si Qeveri e Republikës së Kosovës po e bëjmë një investim tejet të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe të mbarë zonës së Llapushës”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, rruga me gjatësi mbi 11 kilometra lidh pesë fshatra përgjatë segmentit Kijevë–Malishevë, ndërsa përdoret çdo ditë nga banorët e 18 fshatrave të zonës.

Kurti tha se projekti do të përfshijë rindërtimin e plotë të rrugës, nga baza deri te asfaltimi final, duke theksuar se deri më tani janë bërë vetëm arnime dhe mirëmbajtje të përkohshme.

Punimet që kanë nisur përfshijnë një segment prej 8.5 kilometrash, ndërsa për pjesën tjetër pritet të procedohet së shpejti me aktivitetet e prokurimit.

Kryeministri në detyrë theksoi se kjo rrugë do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik dhe turizmin, pasi përdoret edhe nga vizitorët që frekuentojnë Ujëvarat e Mirushës.

Ai bëri të ditur se projekti do të përfshijë trotuare në zonat e banuara, rregullimin e stacioneve të autobusëve, sinjalizim modern dhe sistemim të ujërave atmosferikë për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrugës.

Sipas Kurtit, afati për përfundimin e punimeve është 225 ditë pune.

Po ashtu, ai njoftoi se Qeveria po financon edhe rrugën nga fshati Llapqevë deri te Ujëvarat e Mirushës me 700 mijë euro, ndërsa në proces tenderimi është edhe rruga Malishevë–Arllat me vlerë 2.6 milionë euro.

“Për një periudhë të shkurtër, mbi 5.6 milionë euro po investohen për rrugët në Malishevë”, tha Kurti, duke shtuar se këto projekte janë pjesë e zotimeve të qeverisë dhe jo veprime para-zgjedhore.