Një i vdekur dhe tre të lënduar në një aksident në autostradën “Arbën Xhaferi”

Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes një veture dhe një kamioni në autostradën “Arbën Xhaferi” në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt në drejtim të Kaçanikut.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Daut Hoxha, i cili ka thënë se informatën për aksidentit në fjalë e kanë pranuar rreth orës 17:40 dhe se do ketë bllokim rruge në këtë lokacion.

“Raportohet se një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e aksidentit dhe tre persona tjerë kanë marr lëndime trupore, njëri nga ta me lëndime më të rënda dhe është përcjellë për trajtim mjekësor”, njoftoi Hoxha.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës për të pasur një siguri më të madhe në trafik.