Osmani: Kosova nën sulme, Vuçiqi u inkurajua nga mungesa e drejtësisë në dialog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mungesa e ekuilibrit dhe drejtësisë në dialog ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ta sulmojë Kosovën, pasi sipas saj, presidenti serb ka qenë i bindur se do të shpëtojë pa pasoja.

Në një intervistë për CNN të martën, Osmani ka thënë se Kosova është e vetmja palë konstruktive në dialog, ndërsa Serbia është e kundërta.

“Kosova është nën sulme. Kosova është viktimë e një akti të agresionit që ka ndodhur një javë më parë”, ka thënë Osmani, teksa ka bërë thirrje që Milan Radoiçiqi, që u arrestua në Serbi e që është organizatori kryesor i sulmit të Banjskës në Zveçan më 24 shtator, t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës.

Për dorëzimin e Radoiçiqit, Osmani është shprehur skeptike pasi “kur vjen puna te ofrimi i derjtësisë, Serbia nuk ka bilanc të mirë”. 

“Është vetëm një palë konstruktive në dialog dhe ajo është Kosova, e cila ka zbatuar 99% e të gjitha obligimeve që ka marrë qe 12 vjet. Është e kundërta e asaj që po bën Vuçiqi. Ai nuk zbaton kurrë. Është një listë e gjatë e zotimeve që ka bërë Vuçiqi dhe nuk i ka zbatuar. Çfarë po kërkon Kosova është shumë e thjeshtë, duam ekuilibër, duam drejtësi nga ky dialog dhe fatkeqësisht nuk po e marrim. Dhe mungesa e ekuilibrit dhe drejtësisë ka inkurajuar Vuçiqin për të kryer akt agresioni, pasi mendon se mund të shpëtojë”, ka shtuar Osmani.

Presidentja e Kosovës tutje ka thënë se janë duke punuar ngushtë me aleatët që të mos lejojnë që “Putini [presidenti i Rusisë] të hapë një front të ri lufte në Ballkanin Perëndimor”.

“Kosova është ballafaquar me cenim të sigurisë nga aktet e agresionit të Serbisë më 24 shtator. Ishte qartësisht akt agresioni, i urdhëruar nga shteti i Serbisë. Ky akt nuk ndodhi aty për aty, por ishte i planifikuar me trupa të stërvitur. Fatmirësisht, Policia e Kosovës së bashkë me partnerët ndaluan këtë plan që të ekzekutohej. Serbia do tension, ta destabilizojë rajonin, që ta lejojë Putinin që të hapë një front të ri lufte në Ballkanin Perëndimor. Jemi duke punuar që të mos lejojmë të ndodhë një gjë e tillë. Serbia duhet të ndëshkohet, duhet të ketë masa, sepse nëse s’ka sanksione, ajo do të inkurajohet të vazhdojë të bëjë veprime të tilla agresioni”, ka thënë presidentja e Kosovës.

Osmani ka paralajmëruar edhe publikimin e provave të tjera që dëshmojnë, sipas saj, përfshirjen e Serbisë në sulmin e armatosur në Banjskë, ku vdiqën rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues.