Pagat e muajit shkurt në sektorin publik – a ishin me rritje apo me ulje?

Tashmë janë ekzekutuar pagat e muajt shkurt për më shumë se 80 mijë zyrtarët e sektorit publik, për herë të parë sipas koeficientit të ri të pagave bazuar në ligjin e ri.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur shumë reagime nga vetë punëtorët e sektorit publik dhe përfaqësues të partive politike, shkruan Telegrafi.

Në fund të vitit të kaluar ishte miratuar Ligji i ri i Pagave, derisa ditë më parë ishte caktuar vlera e koeficientit.

Kjo vlerë për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 110 euro. Koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës, derisa më i ulëti është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.

Sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), tashmë mësimdhënësit kanë marrë pagë 100 euro më të lartë. Kjo sindikatë kishte kërkuar që koeficienti të jetë 120 euro.

“Tek një pjesë e mësimdhënësve është lexuar gabim mesazhi ynë i parë. Ne kemi thënë se nuk kemi pritur vlerën e koeficientit 105 e kemi pritur që së paku qeveria të vendosë për një koeficient 120. Mirëpo edhe me vlerën 105 kemi hetuar një ngritje page mesatarisht 100 euro te punëtorët e arsimit, megjithatë ka lëvizje të pagave”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Në kuadër të këtij ligji është paraparë edhe marrja e shtesave, për të cilat në pagën e muajin shkurt nuk ishin të përfshira.

Lidhur me këtë, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se shtesat e muajit shkurt, për ata që u takojnë, do të paguhen në mars për shkak të vështirësive në mbledhjen e të dhënave.

“Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët. Andaj, njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”, njofton MPB-ja.

Pas ekzekutimit të tyre, një reagim i ashpër ka ardhur nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i cili është shprehur se pagat janë dalë pa llogaritur shtesat, përvojat, rrezikshmërinë dhe kompensimet.

“Në vend të pagave, punëtorët e sektorit publik pranuan transfere kuturu. Disave nuk u janë llogaritur shtesat, të tjerëve përvoja, rrezikshmëria, të tjerëve kompensimet tjera, e kështu me radhë. Prapa kësaj qëndron agjenda politike e kësaj qeverie, pranoni pagat ose lëreni punën”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tutje, Tahiri është ka theksuar se shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën dhe u mashtruan.

“Shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën, u mashtruan. Këta nuk qeverisin përmes ligjeve, në fakt ligjeve ju referohen vetëm për të shtyrë përpara turpin, që thellë, këta të paditur e kualifikojnë si Revolucion”, thekson ai.

Edhe pse pagat janë ekzekutuar me ligjin e ri, tashmë Avokati i Popullit është duke trajtuar disa nga ankesat nga sindikatat dhe pritet të ketë vendim nëse do ta dërgojnë këtë Ligj për trajtim në Gjykatën Kushtetuese.

Avokati i Popullit, deri më tani janë pranuar 18 ankesa kundër këtij ligji.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 18 (tetëmbëdhjetë) ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit për Telegrafin.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese thotë se ende nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga Avokati i Popullit.

“Deri më sot, në Gjykatën Kushtetuese nuk është parashtruar asnjë kërkesë nga Avokati i Popullit përkitazi me këtë çështje”, thotë Kushtetuesja në një përgjigje për Telegrafin.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji për Paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.

Kujtojmë se, opozita ka kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.

Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/