Pal Kola, është roja i Top Channel që u vra nga të shtënat me armë, është gjetur edhe një veturë e djegur

Të shtëna me armë janë dëgjuar rreth orës 01:00 në transmetimin direkt të reality show “Big Borther VIP Albania”.

Lidhur me këtë rast Policia e Shqipërisë ka konfirmuar se nga persona të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të objektit të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka vdekur roja i sigurisë së TCH, Pal Kola 60 vjeçar.

“Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).”, njoftoi policia.

Nga raportimet, thuhet se në autostradën e Kavajës tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një veturë e djegur e tipit “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve të këtij rasti.

Targat e veturës kanë rezultuar të vjedhura, ndërkaq policia është në vendngjarje dhe grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.

Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizionit Top Channel. 

Foto: Top Channel

Foto: Top Channel

Foto: Top Channel