Partitë politike do të vazhdojnë edhe sot aktivitetet e tyre elektorale në kuadër të fushatës zgjedhore, duke organizuar tubime dhe takime me qytetarët në disa komuna të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë dy tubime gjatë ditës së sotme. Fillimisht, kandidatë dhe përfaqësues të partisë do të takohen me qytetarët në Fushë Kosovë nga ora 16:30, ndërsa në mbrëmje, në orën 19:00, do të zhvillojnë një tubim tjetër në Gjakovë, në Parkun e qytetit.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë aktivitete në tri qytete. Tubimi i parë do të organizohet në Mitrovicë duke filluar nga ora 17:00. Më pas, drejtuesit dhe kandidatët e kësaj partie do të qëndrojnë në Istog në orën 18:30, ndërsa aktivitetet e ditës do të përmbyllen me një tubim të madh në Prishtinë, i planifikuar të nisë në orën 20:30.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë fushatën me tri tubime zgjedhore. Sipas agjendës së publikuar, PDK-ja do të zhvillojë fillimisht aktivitet në Viti në orën 17:00, më pas në Gjilan në orën 18:30 dhe do ta përmbyllë ditën me një tubim në Kamenicë duke filluar nga ora 20:00.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se do të mbajë tubim elektoral në Prizren, me fillim nga ora 20:00.
Fushata zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse, me partitë politike që po intensifikojnë aktivitetet në terren në përpjekje për të fituar mbështetjen e qytetarëve para ditës së votimit.