Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se ka vazhduar verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa lidhur me faturimin e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), gjatë verifikimeve të realizuara në muajin maj janë konstatuar një sërë parregullsish në njehsorët e kontrolluar, raporton Gazeta Stop.
Nga rezultatet e verifikimit, 18 njehsorë kanë rezultuar me afat të skaduar të validitetit, dy të tjerë janë gjetur me miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 njehsorë kanë pasur pasaktësi në datë dhe orë.
Bazuar në këto gjetje dhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Metrologjinë, Inspektorati Qendror Mbikqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë totale prej 110 mijë eurosh.
MINTI ka bërë të ditur se raportet zyrtare të verifikimit janë përcjellë edhe te KESCO, me qëllim që të ndërmerren procedurat përkatëse për kompensimin e konsumatorëve që mund të jenë dëmtuar nga këto parregullsi.
“Procesi i verifikimit të njehsorëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Autoritetet kanë theksuar se mbrojtja e konsumatorëve dhe garantimi i matjeve të sakta të energjisë elektrike mbetet prioritet, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë edhe në muajt në vijim.