Partizani e Struga kërkojnë rezultate pozitive në ndeshjet e para të plejofit

Dy skuadrat shqiptare, Partizanin e Tiranës dhe Strugën, i ndajnë 180 minuta nga faza e grupeve të Ligës së Konferencës. Si Partizani ashtu edhe Struga, kanë arritur deri në fazën e plejofit të kësaj gare dhe ndeshjet e para, do t’i luajnë të enjten.

Partizani, duelin e parë e luan në udhëtim. Përballet me ekipin nga Azerbajxhani, Astana prej orës 16:00. Astana është eliminuar në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe llogaritet favorite përball Partizanit. Këtë e ka pranuar edhe trajneri i Partizanit, Zoran Zekiq, të mërkurën në konferencën për shtyp. Megjithatë, Zekiq ka thënë se pret një paraqitje të mirë të Partizanit, duke shtuar se synimi është një rezultat i favorshëm për duelin e kthimit që luhet javën e ardhshme në Shqipëri.

“Astana është favorite, por unë shpresoj në paraqitje të mirë të ekipit tim në ndeshjen e parë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të luajmë me qetësi gjatë tërë ndeshjes. Astana ka përvojë në Evropë dhe nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë dhe unë shpresoj që skuadra të bëjë mirë”, ka thënë Zekiq. “Ne, ndoshta nuk kemi përvojë në garat evropiane por motivimi është i lartë. Kështu që, pres të luajmë mirë dhe sigurisht të marrim një rezultat të mirë për ndeshjen e kthimit, pasi ky është synimi ynë”.

Kampioni i Shqipërisë asnjëherë nuk ka luajtur më parë në fazën e grupeve të njërës prej garave të UEFA-s. Është hera e dytë që paraqitet në fazën e plejofit, në të cilën u paraqit edhe në edicionin 2016/17 por të Ligës së Evropës. Partizani garat i nisi në Ligën e Kampionëve por u eliminua në raundin e parë kualifikues për të vazhduar në Ligën e Konferencës. Në raundin e dytë kualifikues e eliminoi Atletic d’Escaldesin e Andorrës, ndërsa në të tretin ishte më i mirë se Valmiera e Letonisë për të arritur në plejof.

“Është një nga ndeshjet më të rëndësishme, objektivi ynë kryesor është të arrijmë në grupet e Ligës së Konferencës. Është e qartë se kundërshtari është një ekip evropian serioz dhe shumë agresiv. Por ne duhet të fitojmë, në mënyrë që të jemi më të rehatshëm për duelin e kthimit”, ka thënë trajneri i Astanas, Grigori Babajan.

Sikurse Partizani edhe kampionia e Maqedonisë së Veriut, Struga po kërkon që për herë të parë të paraqitet në fazën e grupeve të garave të UEFA-s. Në plejofin e Ligës së Konferencës, Struga do të përballet me Breidablikun e Islandës. Ndeshja e parë, do të zhvillohet në Ohër prej orës 17:00 edhe pse më herët ishte paralajmëruar se do të luhej në “Elbasan Arena” të Shqipërisë. Rrugëtimin në “Champions” në këtë edicion Struga e nisi me Zhalgirisin e Lituanisë, nga i cili u eliminua. Më pas u zhvendos në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku në raundin e dytë e eliminoi Buduqnostin e Malit të Zi dhe pastaj ekipin nga Luksemburgu, Swift Hesperange në raundin e tretë. Breidablikut është dy herë kampionit të Islandës, që ka më shumë përvojë në garat e UEFA-s. U eliminua në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe tani për një vend në Ligën e Konferencës do të përballet me Strugën. Breidabliku kishte debutuar në Evropë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, në edicionin 2010/11. Ndryshe nga Breidabliku, debutimin në Evropë Struga e pati në edicionin 2021/22.