Pas Alabas, agjenti Zahavi po e largon edhe Lewandowskin nga Bayerni

Për sulmuesin Robert Lewandowski, Bayern Muencheni tashmë i takon historisë. Kështu ka insistuar agjenti i polakut, Pini Zahavi. Në një intervistë të hënën për të përditshmen “Bild”, Zahavi e ka bërë të qartë se Lewandowski dëshiron me çdo kusht largimin nga skuadra bavareze. Ditëve të fundit, është raportuar se Barcelona ka bërë ofertë për transferimin e sulmuesit 33-vjeçar.

“Për Robertin, gjërat janë shumë të qarta: ai dëshiron të largohet nga FC Bayerni këtë verë”, tha Zahavi.

Lewandowski tashmë ka thënë se dëshiron të largohet nga Bayerni, ekip me të cilin ka edhe një vit kontratë. Thuhet se Barcelona tashmë i ka ofruar Bayernit 32 milionë euro dëmshpërblim për Lewandowskin, por që ekipi gjerman e ka refuzuar. E për këtë refuzim, Zahavi tashmë ka paralajmëruar Bayernin për klientin e tij.

“Sigurisht që Bayerni mund ta mbajë Robertin edhe për një vit, pasi ai ka kontratë deri në verën e ardhshme. Mirëpo, unë personalisht nuk do t’ia rekomandoja Bayernit një gjë të tillë”, insistoi Zahavi.

“Për Robert Lewandowskin, FC Bayerni tashmë është histori”.

I shpallur për dy vjet rresht lojtari më i mirë i vitit nga FIFA, Lewandowski ka fituar çdo trofe që ishte në dispozicion që nga bashkimi i tij me Bayernin në vitin 2014, përfshirë tetë tituj kampioni të Bundesligës. Ai gjithashtu fitoi edhe trofeun e Ligës së Kampionëve me Bayernin në vitin 2020.

Lewandowski ishte golashënuesi më i mirë në Bundesligë sezonin e kaluar për të pestin vit radhazi, pasi shënoi 35 gola në elitën e futbollit gjerman. Drejtori ekzekutiv i Bayernit, Oliver Khan, dhe drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiq, kanë thënë publikisht se klubi nuk do ta lejojë Lewandowskin të largohet para verës së vitit 2023. E këtë sërish e konfirmoi Salihamixhiq, i cili edhe e sulmoi me fjalë Zahavin.

“Lewandowski ka një këshilltar i cili është ngatërruar me kokën e tij gjatë gjithë vitit”, tha Salihamixhiq.

Zahavi luajti një rol të madh në largimin e David Alabas nga Bayerni për te Real Madridi, i cili ishte transferim i lirë për shkak se austriakut i skadoi kontrata me bavarezët verën e vitit të shkuar. Shkaku i këtij transferimi, ish-presidenti i Bayernit, Uli Hoeness, ishte tejet i nervozuar për shkak se Alaba refuzoi rinovimin e kontratës me insistimin e Zahavit. E këtë të fundit, Hoeness e quajti të pabesë.

Zahavi, 78 vjeç, thotë se çështja për Lewandowskin nuk ka të bëjë me paratë shtesë, por ka të bëjë me respektin që, sipas tij, sulmuesi polak nuk e ka pasur te Bayerni.

“Ai është ndier i mosrespektuar nga ata që janë në krye të klubit për muaj të tërë, kjo është e vërteta.

FC Bayerni nuk e ka humbur lojtarin Lewandowski, por njeriun Robert”, insistoi Zahavi.

Zahavi thotë se shpreson që figurat e larta të Bayernit “do të mendojnë përsëri për këtë çështje” dhe do t’i lejojnë Lewandowskit mundësinë “për ta përmbushur ëndrrën e përjetshme për të kaluar te Barcelona, klubin që ai e ka ëndërruar gjithmonë”.