PDK dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetueshmërisë Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku në një konferencë për media, pas dorëzimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese, tha se ka bazë të mirëfilltë që kjo gjykatë ta shfuqizojë këtë ligj, që synon nënshtrimin e administratës publike.

“Sot me kërkesën e GP të PDK, bashkë me kolegun tim nga Kabineti për Qeverisje të Mirë, Përparim Gruda kemi paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetueshmërisë të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Ne menojmë që kjo është një shkelje e radhës e Kushtetutës, duke shkelur dinjitetin e nëpunësve civilë, njerëzve, qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, Përparim Gruda u shpreh se Ligji për Zyrtarët Publikë adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

“Ky ligj qon në një politizim të skajshëm të administratës publike. Po ashtu, ky ligj shkel detyrimet, të cilat Kosova i ka marrë ndaj Bashkimit Europian si rezultat i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një marrëveshje e cila është mbi të gjitha e Kosovës dhe që ka statusin e tillë, sepse ia përcakton Kushtetuta. Në këtë kuptim, kjo është shkelje e Kushtëtutës”, tha ai.

PDK e konsideron i konsideron të pakuptimta veprimet e Qeverisë, e cila ka aplikuar për anëtarësim në BE, ndërkohë që nuk i ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Zyra e BE-së në lidhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

“Në këto kushte kur Zyra e BE-së e ka kundërshtuar ashpër këtë ligj, sepse thotë që është shkelje e standardeve, e parimeve të administratës publike për vendet kandidate për BE. Është e papranueshme dhe e pakuptimtë që në njërën anë Qeveria të aplikojë për anëtarësim në BE, ndërsa në anën tjetër të mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Zyra e BE-së”, theksoi Gruda.