Për shkak të COVID-19, edhe një shkollë në Prishtinë kalon në sistemin online

Për shkak të shtimit të rasteve me coronavirus, shkolla e mesme e ulët “Mehmet Gjevori” në Prishtinë do të kalojë në sistemin online.

“Për shkak se në shkollën tonë është rritur numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me Covid-19, Task Forca e Shkollës në bazë të udhëzimeve të IKSHP-së, vendosi që javën e ardhshme prej datës 24 janar deri më 29 janar 2022 mësimi të mbahet sipas skenarit C – mësimi të zhvillohet online”, thuhet në një postim në Facebook.

Ndryshe, deri tani, shumë shkolla në kryeqytet kanë zgjedhur formën online të mësimit për shkak të rritjes së rasteve të reja me COVID-19.

Së fundmi edhe shkolla “Faik Konica” në Prishtinë kishte kaluar në mësim online pasi disa mësimdhënës e shumë nxënës kishin rezultuar pozitiv me coronavirus.

Duke u bazuar në udhëzimet e IKSHPK-së, rekomandohet se nëse në numrin e përgjithshëm të nxënësve ka 5 për qind të infektuar, atëherë shkolla duhet të kalojë në skenarin C (online).

Ndërkaq, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë, Komuna e Prishtinës për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës, që prej disa ditësh është duke bërë furnizimin me teste të shpejta antigjen përmes pështymës për COVID-19.

Këto teste po u bëhen vetëm nxënësve që kanë simptome si temperaturë, kollitje ose kanë pasur kontakte me dikë të prekur me COVID-19.

Është planifikuar që testet të shërbejnë gjatë gjithë gjysmë vjetorit të dytë.

Pos Prishtinës gjatë ditës së sotme edhe shkolla tjera në mbarë vendin kanë lajmëruar për shtim të rasteve me coronavirus dhe rrjedhimisht kalim në mësim online.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka deklaruar se ekspertët shëndetësor kanë rekomanduar që shkollat duhet të jenë të fundit që duhet të mbyllet.

Ajo ka thënë se situata do të menaxhohet nga shkolla në shkollë, por nuk do ketë vendim bllok për të gjitha shkollat.