Përfaqësuesja e Kosovës me synime të mëdha, po e pret shortin e Ligës së Kombeve

Të enjten prej orës 18:00 do të tërhiqet shorti për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve (2022/2023). Pjesë e shortit është edhe Përfaqësuesja e Kosovës, e cila do t’i mësojë kundërshtarët më të cilët do të ndeshet në qershor dhe shtator të vitit 2022. Për shkak të situatës me COVID-19, UEFA ka anuluar pjesëmarrjen fizike të përfaqësuesve të Federatave në hedhjen e shortit. Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, thotë se shortin do ta përcjellin vetëm online. Ai shpreson që fati të jetë në anën e Kosovës.

“Udhëtimi që kemi pasur për të marrë pjesë në short është anuluar për shkak të masave që ka vendosur Zvicra, shkaku i situatës me koronavirus. Shortin do ta përcjellim online në Federatën e Futbollit të Kosovës. Shpresojmë që të kemi fat në short. Sigurisht, që nuk do të jetë lehtë pasi mund të kemi në grup ekipe të forta”, tha Sahiti.

Ai shpreson që Kosova në short të shmangë Turqinë, Greqinë dhe Sllovakinë, të cilat i sheh si më të fortat. Në vazon e parë janë Turqia, Sllovakia, Bullgaria dhe Irlanda. Turqia është më e ranguara prej Ligës C. Njëra prej këtyre katër përfaqësueseve do të jetë në grup me Kosovën. Ndërkohë, Greqia është në vazon e dytë, në të cilën është edhe Maqedonia e Veriut, Bjellorusia e Luksemburgu. Sahiti e vlerëson edhe ngritjen e madhe të Maqedonisë së Veriut dhe thotë se do të ishte interesant ta kenë në grup.

“Tash e dimë përafërsisht se me kë mund të jemi në grup. Shpresojmë që nga vazo e parë të mos na bjerë Turqia dhe Sllovakia, të cilat janë përfaqësueset më të forta të kësaj vazoje. Në vazon e dytë mendoj që Greqia është përfaqësuesja më e fortë dhe shpresoj t’i shmangemi duelit me grekët. Edhe Maqedonia e Veriut ka pasur paraqitje të mira dhe ka lojtarë cilësorë dhe do të ishte interesant të luanim ndaj tyre. Por, prapë mendoj që Greqia është më e forta në vazon e dytë. Ndërkaq në vazon e fundit janë ekipet pothuajse me cilësi të njëjta”, u shpreh ai.

Sahiti pohon se synimet e Kosovës janë të qarta, pavarësisht kundërshtarëve që do t’i ketë në grup. Sipas tij, “Dardanët” duan pozitën e parë në grup.

“Sigurisht, shpresojmë dhe besojmë, duke vlerësuar që kemi strukturë të mirë të lojtarëve. Ne pretendojmë që të zëmë vendim e parë në grup dhe më pas të shohim rrugën drejt kualifikimit në Evropian”, deklaroi Sahiti.

E rruga për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian të vitit 2024 përmes Ligës së Kombeve ende nuk është bërë e qartë, thotë Sahiti.

“UEFA ende nuk e ka sqaruar se si do të jetë formati për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Besoj që në ditën e shortit do të njoftohemi edhe me formatin se si do të jetë mundësia për të arritur në Evropian”, shtoi ai.

Aktualisht, Kosova është pa përzgjedhës. Pas largimit të Bernard Challandesit, ishte ndihmësi i tij, slloveni Primozh Gliha, që e udhëhoqi Kosovën në ndeshjet e muajit të shkuar. Sahiti konfirmon se ka bisedime me trajnerë të ndryshëm dhe se deri në muajin mars Kosova do ta ketë përzgjedhësin e ri.

“Po besoj që deri në muajin mars do të jemi me trajnerin e ri. Në mars do të kemi ndeshje miqësore dhe do të ishte mirë që përzgjedhësi i ri t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët për ta njohur sa më mirë ekipin. Ka bisedime, por ende nuk ka diçka konkrete. Ato i kryen kryetari së bashku me neve. Po ashtu, na janë ofruar shumë trajnerë. Janë edhe trajnerë me emër. Përderisa për një kohë Kosova ka qenë e panjohur, tani ajo është e njohur dhe po shihet si shumë atraktive nga trajnerët”, nënvizoi Sahiti.

Ai nuk është aspak kundër që përzgjedhësi i ri i Kosovës të jetë shqiptar.

“Po pse jo, nëse vlerësohet, atëherë mund të jetë edhe trajner shqiptar. Megjithatë, po jetojmë në kohën e konkurrencës së madhe dhe ne kërkojmë shumë më shumë. Shpresojmë që të mos jetë pengesë problemi financiar, pasi ne nuk jemi Federatë që ka të ardhura të mëdha, andaj nuk mund ta marrim secilin trajner”, përfundoi Sahiti.

Lituania, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani janë se bashku me Kosovën në vazon e tretë. Me këto, Kosova nuk do të jetë në grup, kurse vazoja e katërt është ende e hapur. Tani për tani, vetëm Gjibraltari e Ishujt Faroe janë në vazon e katërt të Ligës C. Fituesit e ndeshjeve të plejautit ndërmjet Kazakistanit me Moldavinë dhe Qipros me Estoninë, do të mbesin në Ligën C, ndërsa humbësin do të bien në Ligën D.

Fituesi i grupit në Ligën C do të promovohet në Ligën B për edicionin 2024/25 të Ligës së Kombeve. Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova arriti sukses të madh, duke përfunduar në vendin e parë në Grupin e tretë të Ligës D dhe u promovua në Ligën C të Kombeve. Mirëpo, punët nuk shkuan mirë në Ligën C, ku Kosova përfundoi në vendin e tretë me 5 pikë të mbledhura, prapa Sllovenisë, që u rendit e para me 14 pikë dhe Greqisë, që zuri vendin e dytë me 12 sosh. E fundit ishte Moldavia me vetëm një pikë.