Përparim Rama: Nga sot zëri i qytetarëve të Prishtinës do të dëgjohet

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se prej sot zëri i qytetarëve të Prishtinës do të dëgjohet.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm që kjo detyrë përveç privilegjit është detyrë dhe obligim serioz.

Rama ka thënë se ndjehet pafundësisht mirënjohës ndaj të gjithë qytetarëve që guxuan të ëndërronin për qytetin e zemrës.

“Ajo që na bashkoi gjatë fushatës le të mos përfundojë këtu, ajo forcë e unitetit do të na duhet në vazhdim. Jam i vetëdijshëm që sfidat do të jenë të forta. Vullneti e guximi për ta bërë realitet vizionin për Prishtinën është më i fortë se çdo sfidë. Besimi, shpresa e dashuria që kemi për njëri-tjetrin na mbushë me energji të pafund. Nga sot ne iu përvishemi punës. Prishtina do të jetë qytet i të gjithëve. Prishtina do të jetë qytet i gjelbër. Si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunoj me të gjithë ju, për të mirën e kryeqytetit, për Prishtinën. I bëj thirrje të gjithëve pa dallime për të çuar përpara projekte për të mirën e vendit”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se mision i ekipit të tij është ta shndërrojë Prishtinën në një qytet me karakter unik në botë.