Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, kanë përuruar në Vushtrri segmentin e përfunduar të rrugës nacionale N2 Prishtinë–Mitrovicë, projekt me vlerë prej 25 milionë euro.
Duke rikujtuar se projekti për zgjerimin e kësaj rruge në katër korsi kishte nisur para 17 vjetësh, kryeministri Kurti tha se segmenti prej 9.6 kilometrash është përfunduar brenda afatit dyvjeçar të realizimit.
Ai theksoi se projekti kishte filluar në vitin 2009, por nuk ishte përmbyllur për shkak të, siç u shpreh ai, nisjes së gabuar të punimeve.
“Ky investim prej 25 milionë euro, me gjatësi 9.6 kilometra, është realizuar në bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona, Fondit Saudit për Zhvillim dhe Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, të cilët i falënderoj për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, projekti është ndërtuar me standarde moderne dhe pritet të ndikojë në rritjen e sigurisë në trafik, lehtësimin e qarkullimit dhe zhvillimin ekonomik të zonës, duke lidhur më mirë Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën.
Në dhjetor të vitit 2024 ishte përuruar pjesa e parë e segmentit, mbi 5 kilometra nga fshati Lum i Madh deri në hyrje të Vushtrrisë, ndërsa pjesa tjetër përfshin bajpasin me gjatësi rreth 4.4 kilometra.
Projekti përfshin zgjerimin e rrugës në katër korsi, ndërtimin e bajpasit jashtë trasesë ekzistuese që kalon nëpër shtatë fshatra, si dhe ndërtimin e tetë nënkalimeve, tre mbikalimeve dhe një ure.
Kryeministri Kurti theksoi se prioritet i radhës mbetet nisja e punimeve në segmentin e fundit nga fshati Smrekonicë deri në Mitrovicë. Ai bëri të ditur se Qeveria ka proceduar për ratifikim në Kuvend marrëveshjen e kredisë me Fondin Saudit për Zhvillim për realizimin e pjesës së mbetur të rrugës.
“Urojmë që Kuvendi i Republikës të zhbllokohet sa më parë, në mënyrë që edhe ky projekt të nisë menjëherë”, tha ai.
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, deklaroi se rruga e re është moderne dhe funksionale, duke theksuar se bajpasi jo vetëm lehtëson qarkullimin, por edhe lidh shtatë fshatra të zonës.
Ai falënderoi donatorët ndërkombëtarë dhe qytetarët për durimin gjatë realizimit të projektit, duke shtuar se qeveria aktuale po përmbyll projekte infrastrukturore që kishin mbetur të papërfunduara për vite me radhë.